Historiku i formimit të tifozërisë, INTELEKTUALËT !
Krijimi i klubit nga intelektualët dhe shoqëritë e ngritura të qytetit të Gilanit qysh në vitin 1947, kanë përcjellur frymën edhe te gjeneratat e ardhshme, të cilat gjithmonë kanë gjetur dashurinë per klubin DRITA. Emri i famshëm i klubit është përcjellur edhe te klubet tjera sportive të qytetit, të cilat janë mbi dhjetë, mirëpo tifozët e zjarrtë kryesisht janë të organizuar në Stadiumin e Qytetit, pranë klubit të futbollit. Por, prezenca e tyre shihet edhe në palestrën sportive për klubet e basketbollit, volejbollit dhe hendbollit, të të dyja gjinive. Ngjyrat të cilat identifikojnë Intelektualët janë e bardha dhe e kaltërta, ngjyra të cilat i mbajnë me krenari të gjitha klubet e qytetit që e mbajnë emrin e madh DRITA. Lidhur me emrin INTELEKTUAL ka disa teori. Njëra prej tyre është se emri ka ardhur për shkak të sjelljes dhe organizimeve më avangarde në krahasim me shikuesit e tjerë të klubeve tjera të Kosovës. Si dhe teoria tjetër konsiderohet se ka rrjedhur nga historia e klubit e cila ka pasur përbrenda saj fraksione të patriotëve të atëhershëm shqiptar të cilët kanë marrur pjesë në aktivitete sportive për të kamufluar veprimet patriotike, ku nacionalistët shqiptarë (intelektualë dhe patriotë) kanë vepruar përmes klubit për t’u takuar për aktivitetet e tyre patriotike, sidomos udhëheqësit kryesor të NDSH-së kanë qenë edhe tifoz e kontribues shumëvjeçar të Dritës. Krijimi i grupacioneve pa emër ka ekzistuar qysh më herët, mirëpo më të organizuar shihen qysh prej vitit 1998, kur të rinj të qytetit përcollën Dritën e tyre edhe nëpër livadhe, duke u fshehur edhe nga policia e armikut, vetëm e vetëm që Drita të mos ishte vetëm. Gjatë viteve në vazhdim, grupi ka krijuar edhe nëngrupe të cilat kanë ndihmuar edhe më shumë Kryesinë e Intelektualëve, ku patjetër duhet përmendur dy nëngrupet e para në Kosovë dhe më të fuqishmet në vitet 2000-2002, “Holy Blue” dhe “White and Blue Hooligans” – WBH, të cilat krijuan një imazh të ri, si dhe ishin faktor jo vetëm në rritjen e numrit të Intelektualëve, por ndikuan poashtu edhe në organizimin edhe më të mirë të kundërshtarëve. Numri i Intelektualëve të rregullt është 3000 – 5000 anëtarë, ndërsa në lojë të rëndësishme numri i tyre arrin edhe deri në 15.000. Intelektualët janë të pakonkurrencë në tifo-skenën vendore jo vetëm sa i përket numrit të madh, animit të pandalshëm apo datës së hershme të themelimit, por edhe sa i përket risive që kanë sjellë në ultras-kulturën shqiptare, duke u bërë të parët në Kosovë me shumë koreografi e transparenta të mahnitshme, flamuj e dresa gjigante të klubit, pajisje e rekuizita për tifozë apo edhe për Tifo-Clubin, ku mblidhen Intelektualët dhe rinia e qytetit. Sot tifogrupi ka kryesinë e organizuar si dhe me vete ka këto nëngrupe: Blue Kings Hooligans, White and Blue Hooligans, Blue Devils, PM Ultras Army, Blue Maniacs, Veteranët, DFD, Fighters, Holy Blue, West Punkers dhe Blue Girls. |
|